Një tërmet i fuqishëm me qendër në Mianmar tronditi Azinë Juglindore këtë të premte, duke vrarë disa njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha. Ekipet e shpëtimit në Bangkok raportojnë se po kërkojnë rreth 81 persona në rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti, e cila ishte në ndërtim.
Sipas dëshmitarëve, të paktën tre persona u vranë në qytetin Taungoo në Mianmar kur një xhami u shemb pjesërisht. Mediat lokale raportuan se të paktën dy persona vdiqën dhe 20 u plagosën pasi një hotel u shemb në Aung Ban.
Ushtria në Mianmar ende nuk dha asnjë shifër për të vdekur dhe të plagosur. Zëdhënësi diplomatik i Qeverisë paralele të Unitetit Kombëtar tha se tërmeti vrau të paktën 12 njerëz në zonën e Mandalay.
Burime bëjnë me dije se trupa të njohur si Forcat e Mbrojtjes së Popullit, do të ofrojnë ndihmën humanitare të nevojshme.
Guvernatori i Bangkok Chadchart Sittipunt paralajmëroi për pasgoditje të mundshme, por u bëri thirrje njerëzve të jenë të qetë dhe tha se situata ishte kryesisht nën kontroll.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.7 ballë dhe në një thellësi prej 10 km (6.2 milje). Epiqendra ishte rreth 17 km nga Mandalay, i cili ka një popullsi prej rreth 1.5 milionë banorë.
Një banor i Mandalay raportoi për momentin e ngjarjes tragjike.
“Ne të gjithë dolëm me vrap nga shtëpia pasi gjithçka filloi të dridhej. Unë pashë një shembje të një ndërtese pesëkatëshe para syve të mi. Të gjithë në qytetin tim janë në rrugë dhe askush nuk guxon të kthehet brenda ndërtesave.”
Tërmeti shkaktoi shembjen e ndërtesave në pesë qytete dhe qyteza, si dhe një urë hekurudhore dhe një urë rrugore në autostradën Yangon-Mandalay, tha media shtetërore e Mianmarit. Imazhet treguan urën e shkatërruar Ava mbi lumin Irrawaddy, me harqet e saj të mbështetura në ujë.