Edmond Haxhinasto kandidat për deputet në listën e mbyllur në qarkun e Elbasanit nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ishte sot i ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24.
Ai ka folur në lidhje me sfidat e fushatës në Elbasan dhe objektivat e PL në këtë qark.
Haxhinasto theksoi dhe faktin që përveç punës që po bëhet në Elbasan, një punë e madhe po bëhet që kreu i PL Ilir Meta të dalë një nga më të votuarit në Tiranë më 11 maj.
“Fokus në Elbasan është që PL të nxjerrë edhe një kandidat tjetër. Zoti Gjika që të jetë në Kuvendin e ardhshëm. Ky është objektivi final, por objektiva të tjerë janë mobilizimi i qytetarëve që të kuptojnë nevojën e një transformimi të madh që duhet të ndodhë më 11 maj. Të kuptojnë demagogjinë e mazhorancës, sfidë e madhe, kemi sfidën të ndihmojmë me mbështetjen zgjedhore edhe në Tiranë për zgjedhjen e zotit Meta. Elbasani vetë është një qark i vështirë, i dytë më i varfër në Shqipëri, me largimet më të mëdha nga vendi, konsumi i alkolit është shumë i lartë, pra gjendja shpirtërore dhe sociale e qytetarëve. Si qark ka potenciale të jashtëzakonshme. Shoh një atmosferë besimi që gjërat do të ndryshojnë, një optimizëm tek qytetarët që ka ardhur koha për ndryshim.
Ajo që ka ndodhur në Elbasan është që duke abuzuar me varfërinë janë bërë ndërhyrje të jashtëligjshme në sigurinë e mbrojtjes së qytetarëve, raste të blerje të votës, punësimeve elektorale, shihni si janë rritur bashkitë e qarkut, përtej çdo logjike të administrimit të bashkive, vjedhja e votave, janë aktivizuar të gjitha skemat e kompromentimit të qytetarëve qoftë me kërkesa që qytetarët i kishin prej 12 vitesh për të marrë një leje ndërtimi psh. Duke përfituar nga varfëria mendohet që qytetarët do të votojnë sërish për një regjim që i ka lënë në baltë prej shumë kohe.
Haxhinasto u ndal edhe tek krimi zgjedhor dhe task forca e cila ngrihet nga Prokuroria e Posaçme për të hetuar këto raste.