Ngjarja në Elbasan/ Zbardhen detaje nga aksioni i SPAK ndaj motrave Nikolli. Skuadra operacionale u preu rrugën, pas kontrolleve ju sekuestruan dhe telefonat

0

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka kryer kontrolle në dy banesat e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli, paraditen e 28 marsit në Elbasan, ndërsa janë zbuluar detaje të reja nga aksioni i GJKKO. Urdhërat e kontrollit ishin lëshuar për shtëpinë e prindërve të tyre dhe banesën në qytetin e Elbasanit dhe gjithashtu është kërkuar dhe sekuestrim te celularëve. Kontrollet vijnë në kuadër të hetimeve të shpërthimit të një sasie tritoli në derën e apartamentit ku jetonin motrat Nikolli, dhe si pasojë humbi jetën fqinji i tyre Enea Thomaraj, një person pa asnjë rekord penal.

Sipas gazetares Klodiana Lala, skuadra e posaçme operacionale nisi vëzhgimin e dy motrave dhe të babait të tyre. Në momentin, që ata u ngjitën në një automjet “BMW” që drejtohej nga babai i tyre, mësohet se forcat e policisë i prenë rrugën dhe informuan se ndaj tyre kishte një urdhër gjykate për kontrollin e banesave. Burimet thanë se Xhovana dhe Alda Nikollit si dhe babait të tyre iu sekuestrua celulari. Më pas, ata u shoqëruan në banesat përkatëse ku edhe u ushtruan kontrollet. Të njëjtat burime konfirmuan se motrat Nikolli gjatë kontrollit hodhën akuza ndaj të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, duke e akuzuar si porositës të ngjarjes.

Ditën e djeshme, Xhovana Nikolli, në një reagim në rrjete sociale, shkruante se SPAK i ka sekuestruar familjes së saj sende private dhe ju është marrë telefoni prindërve të saj. Nikolli tha se është paraqitur çdo ditë në SPAK për tu marrë në pyetje ndërsa shton se mbi të është ushtruar presion psikologjik nga Prokuroria.

Vdekja e Enea Thomaraj

Disa muaj më parë në hyrjen e banesës së marrë me qira nga dy motrat, persona të paidentifikuar vendosën tritol. Si pasojë humbi jetën, Enea Thomaraj, 26 vjeç, fqinj i dy motrave Nikolli. Këto të fundit akuzuan Nuredin Dumanin si porositës të vendosjes së tritolit. Nuredin Dumani është i penduar i drejtësisë dhe është hetuar nga SPAK. Asokohe pas ngjarjes, Alda Nikolli, motra e Xhovana Nikollit, deklaroi në media se me Nuredin Dumanin kishte nisur një romancë në distancë disa kohë më parë. Nga ana tjetër, Xhovana Nikolli njihet për lidhjen e saj me Amarildo Nikollin alias Xhanej i cili u arrestua nga policia më shumë se një vit më parë, pasi dyshohej se ishte porositur për të vrarë dy persona në qytetin e Vlorës.