Policia e Tiranës ka shoqëruar kreun e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, pas një incidenti gjatë një kontrolli në një lokal në rrugën e “Dibrës”. Sipas njoftimit zyrtar, Policia po kryente verifikimin e një informacioni lidhur me veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit dhe basteve sportive në këtë lokal.
Gjatë operacionit, Alimadhi ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë dhe ka kundërshtuar ata verbalisht dhe fizikisht. Për këtë arsye, ai është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme hetimore. Policia ka nisur procedurat ligjore në lidhje me këtë ngjarje.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.
Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë.