Daily Mail i ka kushtuar një artikull mënyrës se si shqiptarët arrijnë të dërgojnë paratë e fituara në rrugë kriminale drejt atdheut.
Bandat shqiptare rekrutojnë turistë të rremë për të dërguar para të pista drejt Shqipërisë, të cilat i investojnë për të bërë një jetë luksoze.
Në fund të vitit të kaluar, kishte pothuajse 1,100 shqiptarë në burg, përfshirë vrasës, përdhunues dhe udhëheqës të mafies ballkanike. Vetëm tre ishin gra.
Partia Laburiste ka premtuar të deportojë kriminelët e huaj më shpejt, duke thënë se “nuk mund të jetë e drejtë” që tatimpaguesit të paguajnë për këtë.
Mendohet se kushton rreth 40,000 paund në vit për të akomoduar çdo të burgosur, që sugjeron se Mbretëria e Bashkuar shpenzon 44 milionë paund për të mbajtur kriminelët shqiptarë në burg.
Si grupet e krimit përpiqen të lëvizin paratë e tyre në atdhe, ato janë të njohur edhe për fshehjen e parave në furgonë që udhëtojnë midis dy shteteve.
Një burim nga komuniteti shqiptar në Britani tha se numri i madh i furgonëve dhe kamionëve që kalojnë çdo ditë në Dover bën që kriminelët të transportojnë para të fshehura mes mallrave.
Në një rast në vitin 2021, policia sekuestroi 123,000 paund të fshehura në një furgon që transportonte mallra nga Britania.
Olsi Sefolli u arrestua në Shqipëri pasi u gjetën 10 pako të fshehura brenda një furgoni të bardhë tip- “Mercedes”.
Ai u akuzua për pastrim parash që lidhen me aktivitete kriminale dhe për mosdeklarimin e parave në kalimin kufitar. Policia gjeti gjithashtu armë të fshehura në furgon.
Sipas policisë shqiptare, furgoni i përkiste një kompanie me bazë në Luton me pronar Guxim Sefollin.
Ai u dënua me pezullim për 9 muaj për akuzën e mosdeklarimit të parave.
Guxim Sefolli i tha gjykatës se kishte migruar në Britani në vitin 2010 dhe kishte punuar shtatë vjet në tregun e zi, pasi ishte një migrant ilegal pa dokumente për të qëndruar në Britani.
Ai kishte planifikuar të investonte paratë në një apartament në qytetin e Vlorës, në jug të Shqipërisë.
Ai pranoi se kishte fshehur paratë në furgon, duke thënë se kushëriri i tij Olsi nuk ishte në dijeni të parave. Ka më shumë se 30 kompani të regjistruara në Britani që transportojnë artikuj të tillë si rroba dhe mobilje në Shqipëri.
Një burim nga komuniteti shqiptar në Britani tha se është e njohur që disa prej këtyre kompanive trafikonin para jashtë vendit.
Në një rast tjetër në portin e Bari, në Itali, policia zbuloi 225,000 paund të fshehura në tavanin e një furgoni.
Agjencia e Lajmeve Ansa raportoi se paratë ishin të mbyllura në qese vakumi dhe shoferi do të udhëtonte drejt Shqipërisë.
Stafi doganor në Bari tha se makinat me targa britanike dhe shoferë shqiptarë shpesh ndalohen në port, duke shtuar se udhëtime të tilla bëhen “javë pas jave”. Një tjetër mënyrë që bandat përdorin për të trafikur paratë jashtë Britanisë është duke punësuar korrierë që të paraqiten si turistë.
Korrierëve u jepet para për të bërë udhëtimin dhe grumbuj parash që arrijnë deri në 20,000 paund për t’i marrë me vete në Shqipëri.
Në vitin 2018, në Dover u kapën Suzanna Sokolli dhe Xhino Mata, nënë e bir nga Shqipëria me 40,000 paund të fshehura. Ata u dënuan me burg në Gjykatën e Kurorës për më shumë se tre vjet.