Delegacioni i OSBE-ODIHR, që do të monitorojë zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ka zhvilluar një vizitë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) këtë javë. Vizita ka zgjatur rreth një orë.
Kjo vizitë vjen pas deklaratave të Lamberto Zannier, drejtuesit të misionit OSBE-ODIHR, i cili gjatë një konference për media më 2 Prill, u pyet për mundësinë e bashkëpunimit me SPAK lidhur me hetimet për krimet zgjedhore.
Zannier theksoi se misioni i OSBE-ODIHR do të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare, por metodologjia e vëzhgimit do të mbetet në përputhje me standardet ndërkombëtare të përcaktuara për vëzhgimin zgjedhor.
“Bashkëpunimi me autoritetet është i rëndësishëm, por gjetjet tona do të ndahen përmes raporteve zyrtare,” tha Zannier, duke theksuar pavarësinë dhe transparencën e procesit të vëzhgimit.