GREQI – Një nga emrat më famëkeq të botës së krimit, Alket Rizai, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas kërkesës së tij për lirim me kusht nga burgu i sigurisë së lartë të Domokosit në Greqi.
Rizai, i njohur jo vetëm për krimet e rënda, por edhe për dy arratisjet spektakolare nga burgu, ka kaluar 21 vite pas hekurave dhe tani kërkon një shans të ri për të dalë i lirë.
Sipas portalit LamiaReport.gr, kërkesa për lirim është shqyrtuar këtë të premte nga Këshilli Gjyqësor i Kundërvajtjeve të Lamisë, por pa një vendim përfundimtar.
Seanca u shty për në datën 6 qershor 2025, pasi Rizai ndodhej përkohësisht i transferuar në Qendrën e Paraburgimit Korydallos për një çështje procedurale. Lajmin e konfirmoi një prej avokatëve të tij, Kostas Nousas, i cili deklaroi se mungesa e klientit e bëri të pamundur marrjen e një vendimi në këtë fazë.
Kush është Alket Rizai?
47-vjeçari shqiptar ka një dosje të gjatë kriminale në Greqi. Ai është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm, ndërsa dënimet shtesë për veprat penale të tjera kapin shifrën e 25 viteve burg. Emri i tij u bë i njohur në mbarë Greqinë dhe më gjerë për arratisjet spektakolare nga burgu, përfshirë edhe bashkëpunimin e tij me kriminelin grek Vassilis Paleokostas, në një nga arratisjet më të guximshme me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë në Korydallos në vitin 2006.
Megjithëse pas arrestimeve të njëpasnjëshme ai ka kaluar pjesën dërrmuese të jetës së tij pas hekurave, Rizai ka përfituar në vitet e fundit edhe leje të rregullta nga burgu, falë sjelljes së tij më të disiplinuar.
Një rast i tillë ndodhi në janar të vitit 2021, kur gjatë një kontrolli të rastësishëm në një zonë të Lamisë, policia greke gjeti Alket Rizain në një automjet të dyshimtë së bashku me dy të dënuar të tjerë. Ai në atë kohë ndodhej në leje zyrtare 5-ditore nga burgu, çka ngriti pikëpyetje të shumta në opinionin publik dhe median greke.
Një tjetër episod i rëndësishëm ishte edhe paraqitja e tij në Gjykatën e Kundërvajtjeve tre anëtarëshe të Lamisë, rreth një vit më parë. Ai akuzohej për posedim të armëve të improvizuara dhe celularëve të paligjshëm në qeli, por në përfundim të procesit, u shpall i pafajshëm.
Tani, pas më shumë se dy dekadash në burg, Alket Rizai është në pritje të një vendimi që mund t’i ndryshojë jetën. Çështja e tij pritet të rikthehet më 6 qershor 2025, ku do të përcaktohet nëse do të lejohet liria me kusht për njeriun që dikur sfidoi sistemin grek të drejtësisë dhe burgjeve.