TUNIZI – Tunizia është tronditur nga një tragjedi që ka ndezur valë zemërimi dhe protestash. Tre nxënës të moshës 18 dhe 19 vjeç humbën jetën dje në qytetin Mazouna të provincës Sidi Bouzid, pasi një pjesë e një muri në Liceun e qytetit u shemb papritur mbi ta. Ngjarja, që ka shokuar opinionin publik, po konsiderohet si pasojë e neglizhencës institucionale dhe mungesës së investimeve në infrastrukturën arsimore.
Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile, një nga viktimat u varros menjëherë të mërkurën, ndërsa dy të tjerët u përcollën sot për në banesën e fundit. Njoftimi i lajmit shkaktoi një valë revoltash në qytet, ku qindra banorë u mblodhën jashtë komisariatit të xhandarmërisë, duke kërkuar me zë të lartë drejtësi për jetët e humbura.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë qytetarë të dëshpëruar që brohorasin slogane kundër autoriteteve, dogjnë goma dhe përplasen me forcat e sigurisë. “Nuk do të heshtim”, dëgjohet turma teksa sfidon praninë e policisë. Njerëzit kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e të rinjve dhe denoncojnë kushtet e mjerueshme të shkollës, që për shumë vite ishte lënë në mëshirë të kohës.
“Nuk kemi punë, as mbrojtje, asgjë fare! Mazouna është e margjinalizuar”, thotë një banore e zemëruar në një video që po shpërndahet masivisht. Protestuesit pretendojnë se nuk është fjala për një aksident, por për një krim institucional të ndodhur në heshtje – një pasojë direkte e neglizhencës shtetërore ndaj zonave të braktisura.
Ironikisht, tragjedia ndodh në të njëjtën provincë ku nisi Revolucioni Tunizian në vitin 2010, me vetëdjegien e Mohamed Bouazizi-t, akt që ndezi Pranverën Arabe. Por 14 vite më vonë, Sidi Bouzid dhe qytetet përreth mbeten të varfra, të margjinalizuara dhe të rrezikuara – jo nga politika, por nga moskujdesja.
Qytetarët nuk kërkojnë vetëm drejtësi për tre jetët e humbura, por po bërtasin për një sistem arsimor më të sigurt, për investime në infrastrukturë dhe një trajtim të barabartë të të gjitha zonave të vendit. Gjyqi i rrugës ka nisur – dhe mazounasit nuk kanë ndërmend të heshtin.
🇹🇳#Tunisie : Protestations à #Mazouna, sur fond de décès de trois élèves dans l'effondrement du mur d'un lycéehttps://t.co/lSAOn7jcbX pic.twitter.com/mQr8iUxgwL
— Anadolu Français (@aa_french) April 15, 2025