Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev tha të martën se informacionet që sugjerojnë se Bullgaria ka shprehur interesim jozyrtar në Deklaratën mbi Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë janë të pasakta, shkruan BTA.
Ai iu përgjigj me shkrim deputetëve Xhipo Xhipov dhe Elisaveta Belobradova nga Bullgaria Demokratike.
Përgjigja gjendet në faqen e internetit të Asamblesë Kombëtare.
“Bullgaria është në dijeni të nismës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës dhe po analizon me kujdes tekstin e Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve në Tiranë më 18 mars 2025. Informacioni publik që sugjeron se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar deklaratës është i pasaktë”, shpjegoi Georgiev.
Ministria e Jashtme bullgare ka marrë një kopje zyrtare të dokumentit të nënshkruar përmes nga Ambasada e Shqipërisë në Sofje më 25 mars.
“Në asnjë moment nuk është kontaktuar apo konsultuar Ministria apo pala bullgare në lidhje me iniciativën nga propozuesit e saj dhe as nuk është bërë ndonjë ftesë zyrtare për anëtarësim”, tha Georgiev.
Në mars, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se Bullgaria kishte treguar interes për nismën. Po ashtu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci theksoi se Bullgaria ka shfaqur interesim.
“Bullgaria mban marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me secilin nga tre vendet – dy prej tyre janë aleatë të NATO-s dhe një kontingjent ushtarak bullgar është pjesë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), detyra kryesore e të cilit është të sigurojë paqen dhe stabilitetin”, tha Georgiev.
Qëllimi i deklaratës është të forcojë bashkëpunimin midis tre vendeve dhe të krijojë një kornizë për përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera për stabilitetin rajonal.
Dokumenti parashikon bashkëpunim të zgjeruar midis industrive të mbrojtjes, ndërveprim më të madh nëpërmjet arsimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta dhe mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik, sipas faqes së internetit të Ministrisë Kroate të Mbrojtjes.
Në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit në mbrojtje ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, të nënshkruar më 1 prill, Georgiev tha se nuk mund të komentojë një dokument dypalësh në të cilin Bullgaria nuk është palë