Industria ushtarake/ Rama nga Rubiku: Po përgatisim hapjen e Akademisë së Pilotëve, një front i ri punësimi

0

RUBIK- Kryeministri Edi Rama tha sot në Rubik se ish-Uzina e Bakrit do të kthehet në një prej qendrave kryesore të prodhimeve ushtarake. Rama tha se do të hapë një front i ri punësimi për një sërë specialitetesh e kategorish, po ku puna do të jetë e cilësisë së lartë dhe e mirëpaguar për çdo kategori. Ai shtoi se do të jetë një stacion që do t’i japë mundësi vajzave dhe djemve të zonës të punojnë në vendin e tyre.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Do të profilizohen në prodhime të llojeve të ndryshme. Ne jemi duke negociuar me aleatët e mëdhenj të Shqipërisë dhe me kompani nga më të avancuarat në fushën e Mbrojtjes. Së shpejti programi do të nisë pas firmosjes së kontratë, në qendrën e Industrisë Ushtarake në Rubik. Pjesë e investimeve janë edhe investime për automjete ushtarake. Do të krijohet edhe një bazë eksportesh që do të sjellë të ardhura dhe do të jetë një vlerë e shtuar.

Ne po përgatisim edhe hapjen e Akademisë së Pilotëve, së Forcave Ajrore ku do fillojë edhe përgatitja e pilotëve shqiptarë. Besoj që në ditët në vijim në Vlorë do të bëjmë edhe firmosje për të filluar punën e Akademisë Shqiptare të Forcave Ajrore. Në Bashkëpunim me Italinë po rrisim edhe kapacitetet e forcave tona detare.

Ky kompleks këtu është tregues që kjo punë përgatitore të gjitha studimet, negociatat kanë ardhur në pikën që po dalin tani nga zyrat tona në terren për t’u zbatuar. Në vijim do të shikoni raste të përsëritura të firmosje së marrëveshjes strategjike në funksion të industrisë sonë të re të Mbrojtjes. Investimet në Industrinë Ushtarake janë me shumë impakt.