Ekskluzive/ Mbeti i plagosur nga atentati i djeshëm në Tiranë, 11-vjeçari do të dërgohet për kurim në Romë

0

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me gjendjen e 11-vjeçarit të plagosur mbrëmjen e djeshme (17 prill) në Tiranë.

Burime ekskluzive për InfoWebMedia nga Spitali i Traumës konfirmojnë se Dior Demiraj është nisur me urgjencë drejt Italisë për trajtim të specializuar. I mituri është transferuar në spitalin pediatrik “Bambino Gesù” në Romë, ndër më të mirët në Europë për raste të tilla kritike.

Sipas të njëjtave burime, Diori ndodhet në gjendje shumë të rëndë, pasi plumbat i kanë prekur disa organe jetësore si mushkëritë, ezofagun dhe pjesë të tjera të brendshme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, teksa Diori, së bashku me kushëririn e tij Marko Bardhi Demiraj (17 vjeç), Kian Mullajn (19 vjeç) dhe Arenc Stafën (34 vjeç – shofer i familjes), po udhëtonin në një automjet luksoz pas pjesëmarrjes në një festë ditëlindjeje në Pjezë të Shijakut.

Automjeti u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër makinë në lëvizje përgjatë unazës së Shkozës. Pas sulmit, autorët dogjën mjetin e përdorur në zonën e Lundrës, për të fshehur gjurmët. Deri më tani nuk ka të arrestuar dhe identiteti i sulmuesve mbetet i panjohur.

Një nga pistat e hetimit është ngatërrimi i targës së makinës, duke sugjeruar se viktimat mund të mos kenë qenë objektivi i vërtetë. Hetimet po drejtohen nga strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Tiranës.