Atentati me 4 të plagosur/ Gjendet një motor i djegur në zonën e Mulletit, dyshohet se u përdor nga autorët

0

TIRANË- Një motor është gjetur i djegur në zonën e Mulletit, dy ditë pas atentatit në Lundër ku katër persona mbetën të plagosur.

Policia pohon se motori është gjetur paraditen e kësaj të shtune dhe ka dyshime të forta të jetë përdorur nga autorët, gjatë arratisjes.

Autoritetet po vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i Policisë: 

Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.