TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e sotme që të rikthejë vizat me shtetin e Bjellorusisë. Në vendimin e mëposhtëm thuhet se qeveria ka vendosur pezullimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë. Shqipëria dhe Bjellorusia nënshkruan marrëveshjen për heqjen e ndërsjellë të vizave, në shkurt të 2020-ës.
VENDIM PËR PEZULLIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BJELLORUSISË, PËR HEQJEN RECIPROKE TË KËRKESAVE PËR VIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Pezullimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave.
2. Vendimi nr.295, datë 15.5.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.