Pezullohet nga detyra shefi i policisë që publikoi shkrim në rrjetet sociale

0

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e saj, Nënkomisar Prel Milani, pas publikimit të një shkrimi në rrjetin social Facebook dhe më pas në një portal informativ, në shkelje të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj Nënkomisar Milanit, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë në Shkodër.

Ai akuzohet për shkelje të nenit 121, pika 1, germa “m” – “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, dhe pika 2, germa “a” – “Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin ose të kufizimeve për shkak të funksionit”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

Policia e Shtetit thekson se është e angazhuar maksimalisht për të luftuar krimin dhe çdo paligjshmëri, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë, veçanërisht gjatë procesit zgjedhor.

Në zbatim të nenit 6 të Ligjit për Policinë e Shtetit, institucioni i Policisë mbetet i depolitizuar, i baraslarguar nga subjektet politike dhe në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.