Policia e Shtetit ka nisur një operacion të gjerë në të gjithë vendin, të koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike.
Në këtë operacion janë angazhuar Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Policia Kufitare.
Në kuadër të këtij plani, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë evidentuar dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Vig. Përdorimi i dronëve dhe informacionet e siguruara nga inteligjenca policore bënë të mundur zbulimin e 2200 bimëve të dyshuara si cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 578 fidanëve të tjerë të kultivuar në kubikë.
Një pjesë e bimëve dhe fidanëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie në vendngjarje. Policia vijon punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Sakaq, materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.