Sara Zekaj rrëfen për motrën e ndjerë: “Joana ishte bekimi ynë i vogël që na mësoi dashurinë pa kushte”

0

Në një moment të ndjerë gjatë intervistës në ‘Bahiti’s Podcast me moderatore Anisa Bahiti, kandidatja për deputete e Partisë “Mundësia”, Sara Zekaj, foli me emocion për pjesën më të ndjeshme të jetës së saj: motrën e ndjerë, Joanën.

Sara tregoi se motra e saj kishte lindur me një sëmundje të rëndë të epilepsisë, të njohur në popull si “sëmundja e tokës”, e cila ndikoi rëndë në zhvillimin e saj. “Joana ishte një fëmijë që nuk fliste, nuk ecte dhe kishte nevojë për përkujdesje të vazhdueshme nga e gjithë familja,” rrëfeu Zekaj.

Ajo theksoi se përkushtimi dhe dashuria e familjes për motrën ishin të palëkundura dhe ndikuan thellësisht në formimin e saj si njeri. “Unë jam rritur me gjyshen dhe gjyshin, dhe gjithë energjia jonë ka qenë për të. Ishte një bekim që na mësoi çfarë do të thotë dashuri pa kushte,” tha Sara, me emocion të dukshëm.

Në krahun e saj, Sara mban të tatuuar emrin “Joana”, si një kujtim të përjetshëm të motrës që mbetet frymëzim në çdo hap të jetës së saj.