Nga “fatkeqësi për botën”, në “njeriun që do të zgjojë Europën”/ Rama tregon pse ndryshoi mendje për Donald Trump: Nuk e kam pasur ndonjëherë në plan të takoj djalin e tij

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama komentoi mbrëmjen e sotme ndryshimin e qëndrimit rreth presidentit amerikan Donald Trump, për të cilin dikur tha se do të ishte fatkeqësi për gjithë botën nëse zgjidhej president.

“Atë deklaratë e kam bërë për kandidatin për president. Pastaj ai u bë president i Shteteve të Bashkuara. Unë kam pasur rastin ta njoh, e kam ndjekur siç e kanë ndjekur të gjithë. Nuk ka asnjë dyshim që e respektoj si president i SHBA”, tha Rama në intervistën për A2CNN.

Më tej i pyetur nëse kishte ndonjë takim të anuluar me djalin e Trump, kryeministri tha se nuk kishte fare në plan të takohej me Donald Trump Jr. Më tej shtoi se nëse ai dëshiron të vijë në Shqipëri është i mirëpritur.

“As nuk e njoh, as kam tentuar ta takoj. As nuk kam arsye që të tentoj ta takoj, sepse ai është djali i presidentit dhe unë jam kryeministri i Shqipërisë. Nëse do të vijë në Shqipëri, është shumë i mirëpritur, por që unë të tentoj ta takoj atë diku tjetër, nuk e di për cilën arsye”, tha Rama.