Edhe pak ditë kanë ngelur nga zhvillimi i garës sportive “Giro d’Italia”. Ndërkohë që janë prezantuar ekipet që do të garojnë. Do të garojnë 194 çiklistë në 22 skuadra.
Prezantimi u bë në sheshin Skënderbej, ku gjatë paradites ishte vetë kryeministri Edi Rama që vëzhgoi nga afër përgatitjet e fundit, para startit të garës.
Gara sportive “Giro d’Italia” do të mbahet në vendin tonë nga data 9 deri më 11 Maj në Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Në Shqipëri do të mbahen 3 etapat e para të garës sportive.
Etapa e parë do të mbahet më 9 maj në rrugën Durrës-Tiranë. Gara do të nisë nga Porti i Durrësit, për të vijuar më pas drejt Malit të Robit, Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel dhe Tiranë. Në kryeqytet çiklistët do të drejtohen nga Surreli në Rrugën “Xhanfize Keko”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i etapës së parë do të jetë rreth orës 17:03 në Sheshin “Nënë Tereza”.
Etapa e dytë do të mbahet më 10 maj brenda kryeqytetit. Gara do të nisë rreth orës 13.30 nga Sheshi “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet Bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e “Elbasanit” drejt Saukut, rikthehen në Bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Sheshi “Nënë Tereza”. Përfundimi i etapës së dytë është parashikuar të përfundojë rreth orës 17:15 te Sheshi “Nënë Tereza”.
Etapa e fundit, do të mbahet më 11 Maj në Vlorë, e cila do të nisë rreth orës 13.15 nga Rruga “Demokracia”. Çiklistët më pas do të vazhdojnë drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i etapës së tretë parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”.
Shqipëria është destinacioni 108-të për “Giro d’Italia”. Gara e çiklizmit do të transmetohet në 200 televizione ndërkombëtare, duke e vendosur vendin tonë fokus të syve të të gjithë botës.