Falja e gjobave nga Qeveria/ PD: Shkelje arbitrare e ligjit dhe e rregullave të garës!

0

TIRANA- Partia Demokratike ka reaguar me anë të një deklarate pas vendimit të Këshillit të Ministrave për faljen e të gjitha gjobave e vendosura nga 1 janar i 2015 deri në 30 nëntor të 2024. PD thotë se në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri Edi Rama ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.

Demokratët thonë se Rama ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. Sipas PD, KQZ në atë rast bëri një interpretim “lukashenkian”, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. PD thekson se tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme. Demokratët shtrojnë pyetje të hapura për veprime nga ana e KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për rastin.

“Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë. Edi Rama është një gjobvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd”, thekson PD.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.

I njëjti që i terrorizoi për 12 vjet me taksa, gjoba dhe përndjekje, tani bën si i mëshirshëm. Nuk ka asnjë pikë dhembshurie në zemrën e tij, por vetëm oreks për të prishur garën, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, për të bërë hile, duke përdorur makinerinë e shtetit në ndihmë të partisë.

Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme.

Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?!

Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur task-forca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje?

Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit. Premtimi ynë qëndron, por asnjëherë në shkelje të ligjit, dhe në prishje të barazisë në zgjedhje.

Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë. Edi Rama është një gjobvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd.