Celibashi: Kur përfundon procesi i numërimit të votave të diasporës

0

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është shprehur se deri në fund të javës pritet të përfundojë procesi i numërimit të votave të diasporës, ç’ka do të shënojë sipas tij, edhe përmbylljen e procesit të numërimit në tërësi.

Komentet Celibashi i bëri përmes një deklarate për mediat, teksa tha se numërimi i votave është një punë që zhvillohet në stres, në prani të kandidatëve politikë, vëzhguesve dhe mediave.

“Është një punë që zhvillohet në stres, në prani të kandidatëve politikë, vëzhguesve dhe mediave. Megjithatë, procesi është duke shkuar normalisht. Nga pikëpamja praktike ne jemi në përfundim të këtij procesi. Deri në fund të javës do të kemi edhe rezultatin e votimit nga jashtë, që do i bashkohet rezultatit të votimit brenda vendit”, tha Celibashi.

Sa i takon votës së diasporës, tha se deri në këtë moment është numëruar 35% e totalit.

“262 kuti kemi numëruar nga 747 në total. Për qarkun Kukës kemi përfunduar procesin e numërimit, përjashtuar 71 zarfe të ardhur nga shteti grek.”

I pyetur për rivlerësimin e zarfeve të ardhura nga shteti grek, u përgjigj kështu:

“Duhet të evidentojmë zarfet që nuk i nënshtrohen procesit të numërimit. Ndoshta duhet t’i lëmë në tavolinë, vetëm kjo ka ngelur. Realisht dua të kuptoj vendimin e KAS se cila është gjëja që ne duhet të ndryshojmë.”

Ai shtoi se kompanisë postare (DHL) i është kërkuar dokumentacion për shpërndarjen e zarfeve.

“Nuk ka një vendim të Komisionerit Shtetëror për të bllokuar procesin e numërimit të votave nga jashtë. Ka të bëjë me mënyrën e administrimit të këtyre zarfeve. Nuk ka një vendim për t’u mos u vlerësuar votat e ardhura nga jashtë. Letra është prej kohësh publike. I kemi kërkuar kompanisë dokumentacionin e shpërndarjes së zarfeve në shtetin grek. Kjo lidhet kujt i është dërguar, kur, etj”, tha Celibashi.