TIRANË– Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Dan Hutrën me tre burgime të përjetshme për vrasjen e tre grave në mars të vitit 2023.
Ai ekzekutoi me armë zjarri Mevlute Sadikun, Hasime Dafkun dhe Etleva Kurtin.
Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale!
Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim pasi vrau gruan e tij të parë, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.
Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. Dy javë pasi dol nga burgu kreu dhe vrasjen e trefishtë.
“Killeri” Dan Hutra pas arrestimit nuk shfaqi pendesë për krimet e kryera. Ai tregoi para organeve të drejtësisë planin gjakftohtë për vrasjen e tre grave.
“Unë jam larguar më pas për në Kombinat, ku kisha planifikuar edhe një vrasje tjetër. Rrugës më ka rënë sheqeri dhe ndalova në një dyqan për të blerë ujë. Aty pashë që në televizor ishte fotoja ime, në një ekran. Fëmija që ishte në market më duket se më ka njohur, por unë nuk e vrava”, tha ai.