EMRI/ Mbajti peng në makinë dhe kërcënoi një 29-vjeçare, arrestohet i riu në Astir

0

TIRANË- Një 29-vjeçar është arrestuar ditën e sotme pasi dyshohet se ka marrë peng dhe ka kanosur një vajzë në Tiranë. Mësohet se Jurgen Shima u vu në prangat e policisë pasi ka marrë me forcë një 29-vjeçare në makinën e tij dhe e ka mbajtur për disa orë. Gjatë kontrollit në automjetin e autorit, policia ka gjetur një sasi kokaine e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

NJOFTIMI I POLICISË:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/ I hoqi lirinë për disa orë një 29-vjeçareje dhe e kanosi atë, për motive të dobëta, vihet në pranga 29-vjeçari. Sekuestrohet një sasi kokaine që u gjet në automjetin e 29-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në Astir, një shtetase ishte marrë me forcë në automjet, kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe i veprimeve të shpejta policore, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi: J. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dje, ky shtetas, ka marrë me forcë në Astir, një 29-vjeçare dhe e ka mbajtur disa orë në automjetin e tij, duke e kanosur. Gjatë kontrollit në automjetin e 29-vjeçarit, u gjet një sasi kokaine, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.