OKB jep alarmin për Gazën: 14 mijë foshnje mund të vdesin në 48 orët e ardhshme. Britania pezullon bisedimet tregtare me Izraelin

0

OKB paralajmëron se në rast se nuk dërgohen ndihma, brenda 48 orëve të ardhshme rrezikohet jeta e 14 mijë foshnjeve në Gaza.

Situata alarmante vjen pasi Izraeli nuk ka lejuar futjen e sasisë bazë të ushqimit në Rripin e Gazës për më shumë se 11 javë tashmë, si presion ndaj Hamasit.

Nuk kanë munguar as operacionet tokësore gjatë fundjavës, ndërsa vijojnë sulmet ajrore.

Në mes të gjithë këtij kaosi, kriza e urisë në Gaza ka prekur limitet.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se “nuk bëhet asnjë hap pas nga luftimet masive deri në marrjen e kontrollit të plotë të Rripit të Gazës”. “Ne kemi ofruar ndihmën tonë gjatë luftës, por kuptuam se Hamasi po plaçkiste nga këto ndihma, kështu që i ndërpremë”, ka shtuar ai.

Shqetësimi është rritur, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, Franca e Kanadaja i bënë thirrje Izraelit të ndalojë ofensivën dhe të rrisë fluksin e ndihmave.

Sakaq, Britania e Madhe ka pezulluar bisedimet tregtare me Izraelin dhe ka thirrur ambasadorin e izraelit për të dhënë llogari për shkak të bllokadës ‘mizore’ të ndihmave në Gaza.

Sipas BBC, duke iu drejtuar deputetëve, David Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar po pezullon negociatat me qeverinë izraelite për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë dhe po thërret ambasadoren izraelite në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely, në Ministrinë e Jashtme.

Ai thotë se ministri Hamish Falconer, do t’i thotë Hotovely-t se “bllokimi 11-javor i ndihmës për Gazën ka qenë mizor dhe i paarsyeshëm”.

“Bota po gjykon. Historia do t’i gjykojë ata”, theksoi ai.

“Bllokimi i ndihmës, zgjerimi i kufijve, shpërfillja e shqetësimeve të miqve dhe partnerëve tuaj. Kjo është e paarsyeshme dhe duhet të ndalet”, tha ai më tej.

“Do të ndërmarrim veprime të mëtejshme. Tani i them popullit të Izraelit se ne duam një miqësi të fortë me ju, të bazuar në vlera të përbashkëta dhe me lidhje të lulëzuara midis popujve dhe shoqërive tona.

Ne jemi të palëkundur në angazhimin tonë për sigurinë dhe të ardhmen tuaj, për t’iu kundërvënë kërcënimit shumë real nga Irani, plagës së terrorizmit dhe të këqijave të antisemitizmit. Por zhvillimi i luftës në Gaza po dëmton marrëdhënien tonë me qeverinë tuaj”, vijoi ai.

“Dhe siç ka thënë kryeministri, nëse Izraeli vazhdon këtë ofensivë ushtarake, siç ka kërcënuar se nuk do të sigurojë ofrimin e papenguar të ndihmës, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme si përgjigje”, përfundoi Lammy.