Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit pranë qytetit Koblenz në Gjermani, ku kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë. Ngjarja tragjike u shënua rreth orës 03:00 në autostradën A48, kur një furgon tip Mercedes Vito doli nga rruga, përplasi barrierën mbrojtëse dhe u përmbys disa herë.
Në mjet udhëtonin nëntë persona. Tre prej tyre humbën jetën në vendngjarje, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën rëndë dhe u transportuan me urgjencë në spitale të zonës. Për disa prej të plagosurve, u desh ndërhyrja e ekipeve zjarrfikëse me pajisje speciale për t’i nxjerrë nga automjeti i shkatërruar.
Policia gjermane ka bërë të ditur se drejtuesi i mjetit është një 22-vjeçar, i cili nuk rezulton të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit apo lëndëve narkotike. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që aksidenti të jetë shkaktuar nga përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Zëdhënësi i policisë lokale tha se shkaqet e sakta të aksidentit mbeten ende mister. Deri tani nuk ka prova që ndonjë automjet tjetër të ketë qenë i përfshirë, por kjo pistë nuk është përjashtuar plotësisht.
Autoritetet gjermane janë duke vijuar hetimet, ndërkohë që komuniteti shqiptar në zonë është tronditur nga kjo humbje e rëndë.