Milaim Zeka: Fatos Nano është heroi i padukshëm i luftës së Kosovës – rrëfimi që nuk është treguar kurrë më parë

0

Në një rrëfim ekskluziv dhe emocional në “Bahiti’s Podcast”, gazetari dhe ish-deputeti Milaim Zeka ka ndarë për herë të parë një të vërtetë historike që, sipas tij, shumë njerëz në Shqipëri e Kosovë e dinë, por pak e thonë publikisht: Fatos Nano është heroi më i madh i luftës së Kosovës.

Zeka deklaron se është pikërisht ish-kryeministri Nano ai që krijoi lidhjen kyçe midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikanë, duke sjellë për herë të parë në vëmendje një episod pak të njohur nga konferenca në Kros Montana të Zvicrës:

“Fatos Nano i merr dy përfaqësues të UÇK-së, Ramadan Avdiun dhe Bardhyl Mahmutin, dhe u thotë: ‘Shkoni urgjentisht të takoni Richard Holbrooke’. Aty është bërë lidhja e parë serioze që pastaj çoi në mbështetjen e CIA-s ndaj UÇK-së,” tha Zeka.

Në intervistë, ai tregon se kjo ishte një ndër lëvizjet më strategjike dhe më të guximshme të një lideri shqiptar, e cila ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe izolimin e ndihmës nga vendet e Lindjes për UÇK-në – një kusht që amerikanët e vendosën si vijë të kuqe.

Për Milaim Zekën, kontributi i Fatos Nanos në këtë drejtim ka qenë i jashtëzakonshëm, por i heshtur, shpesh i injoruar nga historia zyrtare.