Në të njëjtën intervistë, Milaim Zeka nuk kurseu kritikat për elitën politike shqiptare, sistemin zgjedhor dhe kulturën shoqërore.
Ai nënvizoi se Shqipëria nuk ka liderë karizmatikë dhe se të gjithë ata që kanë pasur mundësinë për të bërë ndryshimin e kanë shpërdoruar atë. Ai veçoi Sali Berishën si figurë që, sipas tij, i ka bërë shërbimin më të madh Edi Ramës, duke mbetur në skenë për interesa personale.
“Kur iu hapën portat e historisë për me bërë mirë për këtë vend, Berisha nuk hyri. Edi Rama edhe 1000 vjet po të garojë përballë Berishës dhe Metës, do të fitojë,” u shpreh Zeka.
Një nga denoncimet më të forta ishte ai mbi Kodit Zgjedhor, që sipas tij është “çelësi i krejt masakrës zgjedhore”:
“Kodi zgjedhor që kemi, është miratuar nga vetë këta politikanë në 2008-ën. Me këtë Kod, një kandidat me 60 mijë vota nuk merr deputet, ndërsa dikush tjetër me më pak vota merr tre mandate. Ky ligj vjedh vetë.”
Zeka solli në vëmendje shembullin e Arlind Lapajt si një dëshmi të këtij deformimi të demokracisë përfaqësuese, ndërsa akuzoi klasën politike për paktet e pandërprera mes pozitës dhe opozitës, ku theksoi se gjithmonë është luajtur për interesa personale, jo të qytetarëve.
Në fund, ai shprehu zhgënjimin e tij për një shoqëri shqiptare që, sipas tij, shpeshherë preferon të merret me jetën intime të të tjerëve sesa me realitetin politik e shoqëror.
“Pronarët e mediave duan vetëm klikime. E kemi merak kush po bën seks e kush jo. Shqiptarët kanë më shumë qejf me ditë ç’bëhet në dhomën e komshiut sesa të bëjnë dashuri vetë,” u shpreh me ironi Zeka.