TIRANË- Ka nisur këtë të mërkurë prezantimi i projekteve për vilat qeveritare të Vlorës dhe Velipojës, që synohet të kthehen në hotele markë ndërkombëtare në bashkëpunim me privatin. Kryeministri Edi Rama para nisjes së prezantimit të projekteve tha se kjo praktikë synon që t’i japë një tjetër dimension bashkëpunimit që shteti ka me privatin nga ku pritet që edhe të ardhurat që gjenerohen të vihen në shërbim të punëve publike.
Ky është një model që sipas kreut të qeverisë e kanë ndjekur edhe Franca dhe Italia, ku agjencitë simotra të Korporatës së Investimeve Shqiptare gjenerojnë të ardhura në nivele të larta.
“Eksperienca e dy rezidencave që tashmë janë transformuar njëra në një shtëpi pritje të shtetit shqiptar për personalitete të fushave të ndryshme dhe tjetra në një qendër për artistë të rinj nga e gjithë bota në bashkëpunim me fondacionin francez “Art explora” na kanë treguar që kjo është rruga për t’i kthyer këto asete në qendra me interes publik dhe për t’i rijetëzuar duke futur shtetin si partner dhe duke i dhënë mundësi sipërmarrjes t’i transformojë në burim të ardhurash dhe ky është rasti i dy projekteve që kemi konkursin sot.
Njëri për vilën e udhëheqësit dhe diktatorit shqiptar në Vlorë dhe tjetri për një tjetër rezidencë qeveritare në Velipojë. Është një rrugë e re që ne po e shkelim por ku praktikisht shikojmë potencialin e madh që ka vënia në shfrytëzim e aseteve shtetërore për ta përfshirë publikun përmes shtetit si një palë e interesuar, duke ndryshuar praktikisht edhe formulat e ndërveprimit me privatin që deri dje kanë qenë shumë bazike.
E kanë privuar shtetin nga shumë kapacitete për të krijuar të ardhura. Po shohim modele në Europë ku institucione si motra me Korporatën e Investimeve në France apo Itali zotërojnë asete dhe marrin të ardhura mbresëlënëse që vihen në dispozicion të interesit publik për të investuar në infrastrukturë publike dhe për të përfshirë kapacitetet shtetërore në rritjen e ekonomisë por edhe në përfitimin nga kjo rritje” tha Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nënvizoi se rijetëzimi dhe aktivizimi i aseteve të periudhës së diktaturës është një formë për t’i treguar brezit aktual dhe atyre që do të vijnë mbi të kaluarën por edhe një kartëvizitë për turistët të cilët kanë ardhur në rritje nga viti në vit dhe që vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë 7 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Në muajin prill Korporata njoftoi se ishin disa kompani që kishin shfaqur interes për të qenë pjesë e garës për rijetëzimn e vilave qeveritare. Në fazën e parë shoqëritë që kishin interes për Velipojën ishin:
1. Shoqëria “Soleil and Sea” shpk
2. Bashkimi i Subjekteve Shoqëria “2A Group shpk”, “Practica Arquitectura y Urbanismo SLP”, “Barclay Crousse”, “Tharm Architects”, Brand Company “Swiss Diamond Group SA”
3. Shoqëria “Xhenis shpk”
Ndërkohë për kontratën “Për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Vlorë” pjesë e nënprojektit “Hospitality” kanë shfaqur interes pesë shoqëri nga të cilat janë kualifikuar për fazën e dytë katër prej tyre:
1. Shoqëria “Blu Horizont 2005” shpk
2. Shoqëria “Soleil and Sea” shpk
3. Bashkimi i Subjekteve Shoqëria “2A Group shpk”, “Practica Arquitectura y Urbanismo SLP”, “Barclay Crousse”, “Tharm Architects”, Brand Company “Swiss Diamond Group SA”
4. Bashkimi i Subjekteve “Shoqëria Edil-AI-IT shpk & Zdrava shpk shpk”. / Monitor