Gaza është kthyer më keq se ferri në Tokë. deklarata është bërë nga presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit tët Kuq, në një intervistë për BBC. Mirjana Spoljaric ka deklaruar se palestinezët janë zhveshur nga dinjiteti njerëzor dhe ligji humanitar ndërkombëtar është varrosur.
“Ajo që po ndodh në Gaza tejkalon çdo standard ligjor, moral dhe njerëzor”, ka thënë Spoljaric.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur qendrat e shpërndarjes së ndihmave në enklavën palestineze janë mbyllur, me Izraelin që ka paralajmëruar se, rrugët që të çojnë drejt tyre do të konsiderohen “zona lufte”.
A po afrohet një Luftë e Tretë Botërore?
Të paktën 27 palestinezë u vranë të martën nga forcat izraelite në afërsi të një qendre ndihmash, duke shënuar incidentin e tretë që nga fillimi i javës. Shteti hebre deklaroi se trupat e tij qëlluan pasi identifikuan disa të dyshuar që po lëviznin drejt tyre, duke devijuar rrugët e caktuara për tek vendi i shpërndarjes së ndihmave.
Ndërkohë, 12 palestinezë të tjerë u vranë pasi një sulm izraelit vuri në shënjestër një shkollë ku ndodheshin palestinezët e zhvendosur në Khan Junis, bëri të ditur Agjencia për Mbrojtjen Civile e kontrolluar nga lëvizja islamike e Hamasit. Situata e vështirë është konfirmuar edhe nga drejtori i spitaleve të improvizuara në Gaza, doktor Marwan Shfaiq, i cili ka deklaruar gjithashtu për BBC se rezervat me gjak për të plagosurit po mbarojnë.
Ekspansioni i ofensivës izraelite në Rripin e Gazës është kritikuar nga disa vete të Perëndimit. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer ka kundërshtuar operacionin dhe bllokimin e shpërndarjes së ndihmave. Ndërsa qeveria spanjolle ka anuluar blerjen e një stoku armatimesh të prodhimit izraelit.