Putin telefonatë me Papa Leonin XIV: Dua paqe, por Kievi kërkon përshkallëzim të konfliktit

0

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka zhvilluar telefonatën e parë me Papa Leon XIV. Kremlini ka bërë me dije se biseda u përqendrua në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Putin falënderoi Papën për gatishmërinë e tij për të ndihmuar në arritjen e paqes, shprehu shpresën që Selia e Shenjtë të angazhohet më aktivisht në mbrojtjen e lirisë fetare në Ukrainë.

Putin i tha Papës se “Rusia dëshiron paqen”, por theksoi se “autoritetet e Kievit po kërkojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”.

Putin ritheksoi “interesin për arritjen e paqes përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, por shtoi se për të pasur një “zgjidhje përfundimtare, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, duhet trajtuar “shkaku i vërtetë dhe i thellë i krizës”.

Kreu i Kremlinit denoncoi veprimet e Ukrainës, duke thënë se “regjimi i Kievit po përpiqet ta përshkallëzojë qëllimisht konfliktin, përmes sulmeve ndaj infrastrukturës civile në territorin rus”.

Ai theksoi se “sulmi i fundit i qëllimshëm ndaj civilëve nga Ukraina është, sipas së drejtës ndërkombëtare, një akt i qartë terrorizmi”.