Kombëtarja kuqezi përgatitet për një përballje të fortë këtë të shtunë, ora 20:45, ndaj Serbisë, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror. Në konferencën për shtyp, trajneri Sylvinho dha mesazhe qetësie dhe besimi, duke theksuar se Shqipëria do të hyjë në fushë për 3 pikët.
Sylvinho për kundërshtarin:
“Serbia ka lojtarë të fuqishëm si Mitroviç, Vlahoviç e Joviç, por edhe ne kemi armët tona: Broja, Manaj, Uzuni, Nedim Bajrami. Jam shumë krenar për djemtë dhe pres një ndeshje të bukur. E dimë që rrugëtimi drejt Botërorit është i shpejtë, ndaj çdo pikë vlen.”
Për përgatitjet dhe formacionin:
“Pas një sezoni të ngarkuar, lojtarët kanë pasur pak pushim. Kemi stërvitur fort për 5-6 ditë rresht. Formacionin do ta bëj publik nesër, por e kam të qartë në mendje. Gjatë ndeshjes me Andorrën provuam disa ndryshime që funksionuan, por Serbia është tjetër nivel.”
Strategjia dhe analiza:
“Nuk kemi ç’të fshehim, ata na kanë ndjekur, edhe ne i kemi analizuar. Strategjitë më të rëndësishme përgatiten në stërvitje. Të dyja skuadrat kanë lojtarë me emër ndërkombëtar, ndaj pritet një duel i fortë.”
Emocionet dhe atmosfera:
“Po, është një ndeshje e veçantë për të dyja palët. Pres një atmosferë të zjarrtë dhe sportive. Kam dëgjuar se ka pasur mbi 800 mijë kërkesa për bileta, ndaj 22 mijë tifozët në stadium janë me fat. Madje do të kisha sjellë dhe babain tim nga Brazili, por ishte rrugë e gjatë. E rëndësishme është që të gjithë lojtarët janë gati fizikisht dhe emocionalisht.”
🔴 Shqipëri–Serbi, një ndeshje e mbushur me pritshmëri, tension dhe krenari kombëtare. Sylvinho garanton përkushtim maksimal dhe dëshirë për të fituar. Tani mbetet vetëm fusha e lojës të flasë!