“URIA” e një kombi për të qenë në “Air Albania ” për të ndjekur derbin ballkanik Shqipëri–Serbi

0

Nga Fatmir Popja

Në kalendarin e futbollit, ka ndeshje që vlejnë tri pikë. Ka të tjera që vlejnë shumë më tepër sidomos ato që ndihen në gjak, në kujtesë, në zemër. Ato që nuk shihen vetëm si përballje mes dy ekipeve, por si pasqyrë e historisë, krenarisë dhe shpresës së një kombi. Një e tillë është edhe derbi ballkanik Shqipëri–Serbi për Botërorin 2026, që këtë fundjavë do të luhet në “Air Albania”, në një atmosferë të ngarkuar si rrallëherë më parë.Por ndryshe nga përballjet e shkuara, këtë herë një rreze e veçantë drite e ndriçon horizontin kuqezi,rikthimi në formë i Armando Brojës, sulmuesit 23-vjeçar i cili jo vetëm që premton gola, por simbolizon një brez të ri shqiptarësh që nuk tremben, nuk përkulen dhe nuk harrojnë.

Armando Broja ,kur shpresa merr emër dhe ngjyra Kuq e Zi

Çdo komb ka një moment kur ngre sytë drejt një figure, një lojtari, një simboli që mbart mbi shpinë jo vetëm pritshmëritë për një gol, por ëndrrat e një kombi të tërë . Për Shqipërinë sot, ai është Armando Broja. I rikuperuar pas një periudhe të gjatë lëndimesh dhe dyshimesh, Broja është kthyer në stërvitje me intensitet, në shpirt me grintë, në sy me dritë.Nuk është vetëm se Broja është një sulmues i talentuar. Është mënyra si ai luan ,me guxim, me vendosmëri, me një dëshirë të papërmbajtshme për të fituar ,fakt ky që e bën atë një figurë frymëzuese. Ai është biri i një Shqipërie që nuk kërkon më leje për të ëndërruar, por shkon drejt qëllimit me ballin lart dhe zemrën plot.

“Uria ” e një kombi për të qenë në “Air Albania”

Asnjëherë më parë në Shqipëri nuk është ndier një “uri ” kaq e madhe për të qenë pjesë e një ndeshjeje futbolli mes ekipeve përfaqësuese .Mbi 200.000 shqiptarë janë përpjekur të sigurojnë bileta për të ndjekur këtë duel ballkanik nga tribuna e “Air Albania”-s, ndërsa stadiumi, me kapacitetin e tij , është treguar i pamjaftueshëm për të përballuar këtë mall për përkatësi dhe pjesëmarrje.
Në të njëjtën kohë, është zhvilluar edhe një realitet i zymtë .Çmimet në tregun e zi janë rritur deri në dhjetëfish duke e bërë të pamundur për shumë tifozë të zakonshëm pjesëmarrjen në këtë derbi ballkanik për Botërorin e 2026.Një dramë moderne ku dashuria për Kombëtaren përplaset me spekulimin financiar ,por gjithsesi, një dëshmi e fuqishme e emocionit që mbart kjo përballje.

Serbia ,jo thjesht një kundërshtar i Shqipërisë në futboll

Për Shqipërinë, Serbia nuk është një kundërshtar si çdo tjetër. Është një emër që risjell në kujtesë tensionin e ndeshjes famëkeqe në Beograd, në vitin 2014, kur një dron me flamurin e Shqipërisë Etnike zbriti mbi stadiumin “Partizani i Beogradit”, duke ndezur jo vetëm një ndeshje, por gjithë historinë e paqëndrueshme mes dy vendeve.Tifozët e rinj mund të mos e mbajnë mend gjithçka, por historia është ende e freskët.Shishe u hodhën në fushë, lojtarët tanë u sulmuan fizikisht, kombëtarja jonë e braktisi fushën dhe më pas UEFA na ndëshkoi neve, jo dhunuesit. Ishte një nga ato padrejtësi që ngelen të pashlyera.Në kthim, Shqipëria fiton në tavolinë . Fitorja nuk ishte vetëm e futbollit ,ishte një hakmarrje e butë, e pastër, sportive. Dhe tani, një dekadë më vonë, këto dy kombëtare takohen sërish, jo në hijen e konfliktit, por në dritën e një të ardhmeje ku shpresojmë që përgjigja të jepet në fushë me dinjitet dhe pasion.Dhe më pas Shqipëria shkon për herë të parë, për herë të dytë në Europian dhe tani shpresë plotë për pjesmarrjen e parë në Botëror.

Një ndeshje që mund të ndryshojë gjithçka

Kjo përballje vjen në një moment kritik për fushatën kualifikuese drejt Botërorit 2026. Pikët janë të arta. Fitorja është e domosdoshme. Por më shumë sesa rezultat, ajo që kërkohet është një shfaqje karakteri kombëtar. Një dëshmi se Shqipëria nuk është më skuadra që “bën zhurmë”, por skuadra që flet me lojë, godet me klas dhe fiton me dinjitet.Në këtë betejë, çdo pasim, çdo sprint, çdo përplasje në ajër do të peshojë më shumë. Dhe ne do të jemi aty në tribunë, para ekranit, në çdo lagje e qytet duke frymuar si një.

Formacioni kuqezi , dy dilema që mund të bëjnë diferencën

Në prag të përballjes së shumëpritur me Serbinë në “Air Albania”, trajneri Sylvinjo duket se i ka gati 90% të yjeve të formacionit bazë, por dy dilema taktike ende po “ziejnë” në mendjen e tij ,dilema që mund të kenë ndikim të madh në fatin e sfidës.E para ka të bëjë me krahasimin mes Arbër Hoxhës dhe Qazim Laçit, për një vend në krah të mesfushës ofensive. Të dy kanë cilësi të ndryshme.Hoxha vjen me një formë të mirë fizike dhe shpërthime individuale që mund të prishin ekuilibrat në minutat e para, ndërsa Laçi ofron më shumë qëndrueshmëri taktike dhe disiplinë mbrojtëse, sidomos kur luhet ndaj një rivali me intensitet dhe ngarkesë emocionale si Serbia.Ajo që ka provuar Sylvinjo në seancën e fundit është vendosja e Arbër Hoxhës nga minuta e parë në të majtë, me Nedim Bajramin si “10” klasik, pas Armando Brojës, i cili pritet të udhëheqë ofensivën që nga fillimi. Kjo zgjidhje ofron më shumë rrezik dhe vertikalitet, veçanërisht në tranzicion, por kërkon edhe mbështetje nga Asllani dhe Ramadani për të balancuar mesfushën.
Nëse tekniku brazilian ndryshon mendje, do të kemi një rotacion të brendshëm, me Laçin në të majtë dhe Bajramin të spostuar më në krah ,skemë më e matur, por me më pak “shkëndija” në fazën ofensive.

Sulmi i nisur me Brojën ,koha për golin e Botërorit 2026

Në majën e sulmit, duket se Armando Broja është kthyer në qendër të gjithçkaje. I freskët, në formë dhe i motivuar, ai pritet të startojë nga minuta e parë, në një rol që nuk e ka mbajtur rregullisht pas dëmtimit, por që këtë herë i takon me të drejtë. Përballë një mbrojtjeje fizike dhe agresive si ajo serbe, Broja ofron jo vetëm shpejtësi dhe kthim pas për topin, por edhe shpërthim individual që mund të sjellë një moment vendimtar.Në krahun tjetër, Jasir Asani mbetet i pazëvendësueshëm, si lojtari që jo vetëm di të krijojë hapësira, por edhe të godasë portën nga distanca ,një armë e vlefshme ndaj skuadrave që e mbyllin hapësirën në zonë.

Asllani–Ramadani, kombinim i balancuar në mesfushë

Në mesfushë, Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani pritet të jenë “motori” i skuadrës. Ramadani ka fituar balotazhin me Shehun falë qëndrueshmërisë dhe eksperiencës, ndërsa Asllani mbetet lojtari me më shumë vizion dhe aftësi për të ndarë lojën në dysh.Kjo dyshe ka funksionuar mirë në ndeshjet e fundit, dhe përballë një Serbie me shumë peshë fizike në qendër, forca dhe vendosmëria e Ramadanit, kombinuar me shpërndarjen e topit të Asllanit, pritet të jenë thelbësore.

Shqipëri sulmuese, por me maturi

Nëse formacioni konfirmohet sipas provës së fundit, Shqipëria do të futet në fushë me një qasje të ekuilibruar por ambicioze,një mesfushë solide, një treshe ofensive krijuese dhe një sulmues kryesor që kërkon të shpërthejë.Zgjedhja mes Hoxhës dhe Laçit mbetet nyja e vetme që mund të ndryshojë fytyrën taktike të ekipit.Por mbi të gjitha, është e qartë.Sylvinho dëshiron të fitojë, jo vetëm të mbrohet. Dhe për ta bërë këtë, do t’i duhet të besojë në talentin, guximin dhe unitetin e kësaj skuadre ,me një stadium të mbushur që pret vetëm një gjë, fitoren.

Tifozë ,asnjë provokim, asnjë fyerje, vetëm mbështetje Kuq e Zi

Këtë të shtunë në “Air Albania” të dashur tifozë Kuq e Zi nuk do të jemi thjesht spektatorë të një ndeshjeje futbolli ,do të jemi fytyra e një kombi të tërë përballë botës.Ndeshja Shqipëri–Serbi është më shumë se 90 minuta. Është histori, është krenari, është përgjegjësi.
Dhe ju, tifozët, jeni lojtari ynë i 12-të ,por edhe ambasadorët tanë më të drejtpërdrejtë.
Prandaj, le ta fitojmë këtë ndeshje jo vetëm në fushë, por edhe në tribunë.
Të tregojmë që jemi një komb që di të dashurojë fort, të mbështesë me zemër e dëshirë të zjarrtë, por edhe të respektojë me dinjitet.Asnjë provokim, asnjë fyerje, asnjë shkelje e rregullave nuk na nderon.
Sepse ne nuk kemi nevojë për zhurmë për të fituar ,kemi zemër, pasion dhe lojtarë që luftojnë për flamurin.Le ta ngjyrosim “Air Albania”-n me kuqezi, me këngë, me krenari dhe qytetari.
Le t’u tregojmë fëmijëve tanë, botës, dhe vetes sonë se jemi gati për të fituar si një komb i pjekur dhe i bashkuar.
E gjithë Shqipëria ju sheh. Mos e lini flamurin të bjerë. Mbajeni lart me dinjitet!

 

Përtej 90 minutave

Shqipëri–Serbi nuk është vetëm një lojë futbolli. Është një përballje midis së shkuarës dhe të ardhmes. Një shans për të treguar se ne jemi rritur, jemi bërë më të fortë, më të mençur, më të bashkuar. Dhe me një lider të ri si Broja në fushë, shpresa nuk është më vetëm një ndjenjë është një plan.Të shtunën në mbrëmje , ne nuk do të jemi vetëm spektatorë. Do të jemi pjesë e një historie.
Dhe kjo histori si gjithmonë ,fillon me zemër.Fitore Shqipëria!