Vuçiç shpërthen ndaj gazetarëve, braktis konferencën për shtyp!

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është përplasur këtë të diel me gazetarët gjatë një konference për shtyp.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë, Vuçiç “shpërtheu” ndaj njerëzve të medias, duke i qortuar për sjelljen e tyre pas një pyetje që nuk i pëlqeu.

Presidenti serb ishte duke komentuar sulmin ndaj Milosh Pavloviç, përfaqësues i lëvizjes “Studentët që duan të mësojnë”, duke e krahasuar me një incident të mëparshëm në Novi Sad, ku një studente u sulmua dhe iu thye nofulla.

“Më shpjegoni pse ata djem në Novi Sad qëndruan katër muaj në paraburgim, ndërsa këta që vepruan në mënyrë të organizuar, me qëllim dhe me vetëdije, përballen vetëm me akuza për pakujdesi…”, u shpreh Vuçiç me tone të ashpra.

Ndërkohë, gazetarët ndërhynë dhe i thanë se dhe ata mund të japin shpjegime, po ky reagim nuk i pëlqeu aspak presidentit Vuçiç, i cili u largua furishëm nga salla.

“Ju ende mendoni se kjo është për të qeshur. Ju, nga N1 dhe Nova S. Unë jo. Mësohu të sillesh më mirë, bir. Sjellje elementare. Nuk do të ishte keq,” tha ai.

Pamjet e këtij momenti u postuan nga gazetarja Zhaklina Tataloviç, duke e përshkruar situatën si të tensionuar dhe të pakëndshme.