Vetëm një person doli nga avioni i shkatërruar Boeing 787-8 Dreamliner. Shtetasi britaniko-indian, Vishwash Kumar Ramesh, i ulur në sediljen 11A, doli të ishte i vetmi i mbijetuar i fluturimit AI-17 1 të Air India, i cili u rrëzua vetëm pak çaste pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel i Ahmedabadit.
Përplasja, katastrofa më vdekjeprurëse me avion në Indi në dekada, ndodhi në orën 13:38 të enjten.
Avioni, me destinacion Londrën Gatëick, u rrëzua disa sekonda pas nisjes, duke goditur një konvikt shumëkatësh që strehonte mjekë rezidentë të Kolegjit Mjekësor BJ në zonën Meghaninagar. Midis të vdekurve ishin 229 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.
Ndërkohë, i mbijetuari ka rrëfyer edhe një herë ngjarjen dhe mënyrën se si ai arriti të shpëtonte, të dilte i gjallë nga rrënojat e avionit.
Duke folur për mediat nga shtrati i spitali, Ramesh ka treguar se dritat e avionit filluan të pulsonin dhe dukej sikur ishte bllokuar në ajër.
Ndërsa, në momentin e rrëzimit, ai thotë se ka parë njerëzit e tjerë duke vdekur para syve të tij, ndërsa rrëfen se ai vetë ka arritur të dalë duke shkelmuar derën e shembur që ndodhej pranë tij.
“Nuk e besoj ende që shpëtova. Për një moment mendova se do të vdisja, por kur hapa sytë dhe pashë përreth, kuptova se isha ende gjallë. Ende nuk e besoj si mbijetova. Kur u ngrit avioni, brenda 5–10 sekondave dukej sikur ishte bllokuar në ajër. Papritur, dritat filluan të pulsonin jeshile dhe të bardha.
Avioni nuk po ngrihej dhe po rrëshqiste në ajër, derisa u përplas me një ndërtesë dhe shpërtheu. Në fillim mendova se kisha vdekur. Më vonë kuptova se isha ende gjallë dhe pashë një hapje në trupin e avionit. U çlirova nga rripi, përdora këmbën për të shtyrë hapjen dhe dola zvarrë jashtë. Nuk e di si shpëtova.
I pashë njerëzit duke vdekur para syve të mi, stjuardesat, dhe dy persona që ishin pranë meje… dola nga rrënojat”, ka rrëfyer Ramesh.