KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe deputeten e Kuvendit, Liza Gashi, vizitoi sot familjen e Arbnor Spahiut, i cili u arrestua dhe po mbahet padrejtësisht nga autoritetet serbe prej datës 7 qershor.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti i njoftoi familjarët për përpjekjet e vazhdueshme dhe veprimet e deritanishme të institucioneve të Republikës së Kosovës, që Spahiu të lirohet sa më parë. Ai i siguroi që angazhimi është maksimal dhe do të jetë i tillë deri në lirimin e tij.
Spahiu iu vendos masa paraburgim në Serbi pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”. Ai dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.