Aplikimet për azil nga shqiptarët në BE bien 29% për janar-mars

0

Eurostat bëri të ditur se në janar-mars janë shënuar gjithsej 1445 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë në BE, me një rënie prej 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

TIRANË- Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, ndonëse me ritme shumë më të ulëta në raport me vitet e mëparshme.

Eurostat bëri të ditur se në janar-mars janë shënuar gjithsej 1445 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë në BE, me një rënie prej 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. ky është numri më i ulët i kërkesave për azil që nga e njëjta periudhë e vitit 2021, kur kishte kufizime të lëvizjeve për shkak të pandemisë. Në krahasim me vitin 2022, kur u shënua rekordi i pas pandemisë, aplikimet për azil në janar-mars 2025 ishin 51% më të ulëta.

Pas vitit 2016 në vend nisi një valë e re emigracioni, që u frenua disi as periudhës së pandemisë për të rifilluar në 2022-n. Gjithsesi vitet e fundit ka një tendencë për të ikur përmes kontratave të punës, sidomos në Gjermani dhe shifrat e azilkërkuesve reflektojnë vetëm pjesërisht një rënie të tendencës së emigracionit. Numri i kërkesave për azil shënoi një rënie prej 23% krahasuar me marsin 2024, dhe një rënie prej 2% krahasuar me shkurtin 2025

57 925 qytetarë jo të BE-së aplikuan për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian. Po ashtu, pati 7 430 aplikime përsëritëse, që përfaqësojnë një rritje prej 4% krahasuar me marsin 2024 (7 170) dhe një rënie prej 3% krahasuar me shkurtin 2025 (7 630).

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, në BE u dhanë 198 570 vendime në shkallë të parë për kërkesat për azil, një rënie prej 1% krahasuar me tremujorin e mëparshëm (199 980) dhe një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (184 865). Nga këto vendime në shkallë të parë, 33% ishin pozitive (66 315). Venezuelianët mbetën grupi më i madh i personave që kërkonin azil (8 600 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga afganët (5 650) dhe shtetasit nga Bangladeshi (3 145).

Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania pritën 78% të aplikantëve për herë të parë
Spanja (13 335), Italia (12 390), Franca (10 690) dhe Gjermania (8 975) regjistruan numrin më të lartë të aplikimeve për azil për herë të parë, duke përbërë 78% të të gjithë aplikimeve për herë të parë në BE.

Norma totale e aplikantëve për azil për herë të parë në BE në mars 2025 ishte 12.9 për çdo njëqind mijë banorë. Krahasuar me popullsinë e secilit vend të BE-së (më 1 janar 2024), normat më të larta të aplikimeve për herë të parë u regjistruan në Greqi (39.6), e ndjekur nga Qiproja (31.0) dhe Spanja (27.4).

Në mars 2025, gjithsej 1 595 të mitur të pashoqëruar kërkuan azil për herë të parë në BE. Numri më i lartë i tyre vinte nga Siria (250), Afganistani (240) dhe Venezuela (150). Vendi i BE-së që pranoi numrin më të madh të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishte Gjermania (485), e ndjekur nga Spanja (330) dhe Greqia (160).

Vendimet pozitive për azil ranë me një të tretën

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, vendet e BE-së u dhanë status mbrojtjeje në shkallë të parë për 66 315 kërkues azili, një rënie prej 33% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024 (99 390).

Ndër kërkuesit e azilit që përfituan status mbrojtjeje në shkallë të parë në BE, 49% morën statusin e refugjatit, 26% përfituan status humanitar dhe 25% mbrojtje dytësore.

Gjermania (15 590), e ndjekur nga Franca (12 625) dhe Spanja (11 565), dha numrin më të lartë të vendimeve pozitive në shkallë të parë. Afganët (18 500), venezuelianët (8 675) dhe ukrainasit (4 285) ishin përfituesit kryesorë të statusit të mbrojtjes në BE gjatë tremujorit të parë të vitit 2025./ Monitor