TIRANË- Avokatja Adriana Kalaja ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij, kallëzuar në shtator 2024 duke e akuzuar për konflikt interesi dhe mosdeklarim të fakteve, por gjyqtarja Flojera Davidhi e rrëzoi.
Kalaja kallëzoi Gjokën në SPAK dhe ka kërkuar shkarkimin e saj në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD). Gjithashtu ka kërkuar rishikimin e vendimit të vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK). Gjithashtu Kalaja thotë se gjyqtarja nuk duhet të jetë pjesë e këtij procesi pasi është subjekt i kallëzimeve dhe hetimeve që ajo vetë ka nisur.
Por gjyqtarja Flojeradh Davidhi rrëzoi kërkesën për përjashtim e Kalasë për shkak të dorëzimit jashtë afatit ligjor tre-ditor. Kalaja e ka quajtur këtë vendimin absurd duke theksuar se kjo kërkesë u paraqit menjëherë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë dhe në fazën e dhomës këshillimore, jo gjatë gjykimit.
Fjala e Adriana Kalas:
Unë kam kallëzuar penalisht pranë SPAK gjyqtaren Irena (me tre mbiemra), për shkak të fshehjes dhe mosdeklarimit nga ana e saj të një vendimi penal për dënim në shtetin grek, si dhe të dy vendimeve administrative për dëbimin e saj nga ky shtet.
Në këtë kallëzim kam përfshirë edhe një prokurë, e cila legjitimon pretendimet tona lidhur me rastet e dëbimit të saj nga Greqia, në vitet 2002 dhe 2003. Gjithashtu, si kallëzues, kam bërë një kërkesë pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares në fjalë. Po ashtu, i jam drejtuar edhe SPAK-ut, duke qenë se z. Altin Dumani mban aktualisht edhe mandatin e Komisionerit Publik, për të kërkuar rishikimin e vendimit të vettingut që lidhet me gjyqtaren Irena.
Që nga dhjetori i vitit 2024, jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, me kërkesa të njëpasnjëshme, lidhur me hetimin administrativ që po i bëhet gjyqtares në fjalë. Të gjitha këto fakte dhe argumente duhen marrë në konsideratë, sidomos duke pasur parasysh që gjyqtarja, në muajin prill, është shprehur publikisht për një çështje konkrete në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, duke vlerësuar se kompetenca për hetimin e Kryeministrit dhe bashkëshortes së tij i takon prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm dhe jo Prokurorisë së Posaçme ndryshe nga sa ka vendosur Gjykata e Tiranës. Gjykata e Lartë më pas e rrëzoi këtë vendim, duke na legjitimuar ne si palë.
Sot jemi njohur me një vendim absurd dhe të pabazuar në prova e ligj, pasi gjyqtarja ka arsyetuar se kërkesa jonë për përjashtim është bërë jashtë afatit 3-ditor të përcaktuar nga ligji. I kujtoj gjyqtares Davidhi se kjo nuk është një kërkesë gjatë gjykimit, por një kërkesë që është bërë menjëherë sapo jemi njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë, të cilin e kemi dorëzuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, si provë që mbështet kërkesën tonë.