Donald Trump, ka deklaruar se SHBA ka ndërmarrë me sukses një seri sulmesh ajrore ndaj tri prej objekteve kryesore bërthamore të Iranit: Fordo, Natanz dhe Esfahan.
Përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, Trump shkroi:
“Kemi përfunduar me sukses sulmin tonë ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordo, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tanë ndodhen tashmë jashtë hapësirës ajrore iraniane.”
Ai shtoi gjithashtu se objektivi në Fordo është goditur me një ngarkesë të plotë bombash, ndërsa avionët amerikanë janë tashmë në rrugë për t’u kthyer në SHBA.
Lajmi është konfirmuar edhe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, e cila, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, raportoi se bombarduesit strategjikë amerikanë B-2 Stealth janë përdorur në këto operacione ajrore.
Më herët ishte raportuar se këta avionë ishin zhvendosur në bazën amerikane në ishullin Guam, duke nxitur spekulime për një aksion të mundshëm ushtarak.
Deri në këtë moment, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet iraniane, ndërsa komuniteti ndërkombëtar pritet të reagojë ndaj përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.