“Kosova, në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euroatlantike”, Kurti për sulmet amerikane në Iran: SHBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur!

0

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar në lidhje me sulmet amerikane në Iran. Kurti thekson se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin.

Ai shkruan se Kosova mbështet qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së kundër programeve bërthamore të Iranit. Kurtin shton se ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur

“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.

Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare. ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. SHBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur,” shkruan ai.