Sot provimi i fundit i Maturës Shtetërore, 27 mijë nxënës testohen në Lëndët me Zgjedhje

0

Mbi 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atij të Lëndës me Zgjedhje.

Lëndët e përfshira në këtë provim janë të ndara në disa fusha: Kimi, Fizikë, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi, Sociologji, Ekonomi, e të tjera.

Nxënësit duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 ndërsa provimi nis në 10:00 dhe përfundon në 12:30.

Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi të kufizuara.

Ministria e Arsimit ka përcaktuar një sërë rregullash për zhvillimin e provimit. Të gjithë maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë) dhe të jenë të veshur në mënyrë të rregullt, preferohet me uniformën e shkollës.

Gjatë provimit ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente (smart) dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike. Testi duhet plotësuar me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët janë të detyruar të firmosin në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit. Maturantët nuk lejohen që të largohen nga sallat e provimit para orës 12:30.