“Celebrimi i Paqes në Izrael” ,një fundjavë e paharuar për turistët izraelitë në Shqipëri, falë Sonila Kostës ,ish emigrante prej 26 vitesh

0

 

Nga Fatmir Popja

Në një kohë kur bota përballet me sfida të mëdha dhe konflikte të dhimbshme, ka njerëz që zgjedhin të jenë dritë në errësirë. Një prej tyre është Sonila Kosta, ish emigrante prej 26 vitesh ,themeluese dhe menaxhere e një prej operatorëve turistikë më të njohur aktulisht në Shqipëri e cila këtë fundjavë ka vendosur të sjellë buzëqeshje dhe ngrohtësi në zemrat e qindra turistëve izraelitë të bllokuar në vendin tonë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

-Një gjest njerëzor në kohë të vështira”-

Teksa qindra izraelitë që kishin zgjedhur Shqipërinë si destinacion pushimi nuk mund të kthehen për momentin në vendin e tyre për shkak të pezullimit të fluturimeve dhe situatës së pasigurt në Izrael, Sonila Kosta ka ndërmarrë një nismë të jashtëzakonshme .Ajo ka menduar për një fundjavë të mbushur me surpriza, argëtim dhe mbi të gjitha, me një mesazh të fuqishëm paqeje.E lidhur ngushtë me komunitetin izraelit përmes kompanisë së saj turistike dhe platformës së makinave me qira Autodescar.al, Sonila Kosta ka arritur të kontaktojë personalisht me dhjetëra turistë izraelitë që ndodhen në Shqipëri dhe i ka ftuar në një aktivitet falas i cili do të mbahet këtë të Premte në Vlorë, nën titullin simbolik “Celebrimi i Paqes në Izrael”.

-Një ditë për të mos u harruar: Aktivitete,guidë turistike, dhe mesazhe paqeje-

Aktiviteti do të nisë të Premten në orën 10:00 të mëngjesit në qytetin e Vlorës me një guidë turistike unike ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të vizitojnë Sazanin dhe Karaburunin me anijen “Aquamarina”. Përgjatë kësaj eksperience të jashtëzakonshme për turistët izraelitë dhe jo vetëm do të ketë momente festimi, argëtimi dhe ndalesa ku do të shpërndahen mesazhe solidariteti dhe paqeje kundër luftës.“Ky është një gjest i thjeshtë, por me shumë domethënie. Duam të tregojmë mikpritjen shqiptare, ta bëjmë këtë fundjavë më të lehtë për ta, në një kohë kaq të vështirë për secilin prej tyre”, u shpreh Sonila Kosta. Ajo shton se shumë prej turistëve që ajo ka kontaktuar janë tepër të shqetësuar për familjarët në atdheun e tyre dhe aktiviteti është menduar si një hapësirë për të ofruar qetësim të shpirtrave të të lënduar e trazuar të tyre ,ngushëllim për ata që kanë humbur njerëzit e tyre nga lufta, shpresë për paqe dhe siguri për të ardhmen .

-Shqipëria, një destinacion gjithnjë e më i preferuar për izraelitët-

Sonila Kosta tregon se këtë vit ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve nga Izraeli që vizitojnë Shqipërinë, gjë që përforcohet edhe nga hapja e linjës direkte Tel Aviv – Shqipëri. Ajo thrkson se izraelitët adhurojnë gjithçka që Shqipëria ofron ,nga mikpritja dhe ushqimi tradicional, tek natyra e mrekullueshme, lumenjtë, deti dhe historia.
Përmes platformës së biznesit të saj Autodescar.al, turistët e huaj jo vetëm që mund të marrin makina me qira, por edhe të marrin pjesë në guida turistike të organizuara që përfshijnë itinerare nga Veriu në Jug të vendit. “Shqipëria ka kaq shumë për të ofruar dhe izraelitët e vlerësojnë thellësisht atë që gjejnë këtu”, thotë ajo.

-Një mesazh i qartë: Paqja është pasuri dhe forca e vërtetë-

Përtej turizmit, aktiviteti që do të organizohet këtë të premte mban një mesazh të fuqishëm, dëshirën për paqe. “Ne duam një botë paqësore. Fitorja në një luftë nuk mund të jetë kurrë një burim fuqie. Burimi i vërtetë i fuqisë është vendosja e paqes”, thotë Sonila Kosta.
Përmes këtij gjesti, Shqipëria dëshmon edhe një herë se mbetet një vend që vlerëson jetën, mikpritjen dhe bashkëjetesën paqësore. Në këtë fundjavë të veçantë, Vlorë do të jetë më shumë se një qytet bregdetar ,Vlora do të jetë një strehë e ngrohtë për ata që kanë nevojë për pak dritë në një kohë të errët sikurse është kjo periudhë për izraelitët.