Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kanë shkëmbyer batuta, edhe pse ishin duke folur për një çështje tejet serioze, gjatë një deklarate për shtyp në samitin e NATO-s në Hagë, ku u fol për tensionet mes Izraelit dhe Iranit pas sulmeve ajrore amerikane mbi objektet bërthamore iraniane.
Duke komentuar përplasjen mes Izraelit dhe Iranit, Trump tha: “Nuk do të luftojnë më me njëri-tjetrin. E kanë mbyllur. Ishte si një sherr mes dy fëmijëve në oborrin e shkollës. Luftojnë si të çmendur. Nuk i ndalon dot. Lëri të zihen për dy a tre minuta. Pastaj është më e lehtë t’i ndash.”
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, ndërhyri me një buzëqeshje: “Dhe pastaj babai duhet të përdorë ndonjëherë gjuhë të fortë”.
Trump u tregua edhe më i drejtpërdrejtë: “Duhet të përdorësh gjuhë të fortë. Duhet të thuash një fjalë të caktuar”, u shpreh ai, duke iu referuar komenteve të bëra një ditë më parë ku tha se “Izraeli dhe Irani nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë.”
Batutat mes tyre janë bërë virale në mediat sociale.