Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Label Hunt”
U kapën në flagrancë duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 25 000 euro, vihet në pranga 48-vjeçari, si dhe procedohet penalisht djali i tij.
Sekuestrohen mallrat e kontrabanduara(veshje, çanta) të markave të ndryshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare,në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Label Hunt”.
Si rezultat i këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi S. Ç., 48 vjeç si dhe u procedua penalisht E. Ç., 20 vjeç, babë e bir, të dy banues në Elbasan.
Në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. Ç. dhe pasagjerë shtetasin E. Ç. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur mallra (veshje, çanta) me vlerë rreth 25 000 euro, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se këta shtetas do i shisnin këto mallra në subjektin në administrim të tyre në Elbasan.
Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.