U prangos pas incidentit në ish-bllok, dalin pamjet e arrestimit të Skerdi Sinas, momenti kur efektivët vrapojnë pas tij (VIDEO)

0

TIRANË- Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/ Në vijim të informacion të dhënë pasditen e djeshme, mbi vënien në pranga të shtetasit S. S., informojmë se në vijim të veprimeve, për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda: ekzekutuan vendimin e Gjykatës, për dënimin me 4 muaj burgim të tij, për plagosje të rëndë, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme;

ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë, për ndalimin e këtij shtetasi, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me rastin e djeshëm, u gjet në automjetin e sekuestruar, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Vijojnë kontrollet për drejtuesin e automjetit, me të cilin lëvizte shtetasi S. S., të identifikuar nga Policia, menjëherë pas rastit. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.