TIRANË- Kostot e prodhimit në bujqësi në vendin tonë po rriten me shpejtësi duke sinjalizuar rritje të çmimeve të prodhimeve në vijim. Sipas INSTAT në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 149,6 nga 142,8 që ishte në 2023, duke shënuar një rritje me 4,8%. Gjatë këtij viti, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore shënoi rritje me 9,1%, gjithashtu rritje ka shënuar edhe indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale me 0,4%, krahasuar me një vit më parë.
Sektorët prodhues në vend, industria dhe bujqësia, baza e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjenerues të mëdhenj të punësimit, janë në një krizë të thellë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se bujqësia shënoi rënie vjetore në 3-mujorin e parë 2025 me 2.76 për qind, rënia më e fortë që nga tremujori i parë i vitit 2020 ku lëvizjet u bllokuan nga pandemia.
Bujqësia hyri në vitin e pestë të rënies më 2025. Rënia e bujqësisë është një sinjal negativ për zhvillimin afatgjatë të vendit, pasi ky sektorë përbën një pjesë të rëndësishme të prodhimit, punësimit dhe ekuilibrit tregtar të vendit.
Bujqësia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë rreth 15% të PBB-së në Shqipëri dhe është punëdhënësi më i madh në vend me mbi 30% të totalit me 2024, kjo përqindje është edhe më e lartë veçanërisht në zonat rurale.
Rënia e bujqësisë po krijon varësi më e madhe nga importet e ushqimeve, çka rrit deficitin tregtar dhe ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të çmimeve globale. Ky zhvillim lajmëron rritje të çmimeve të ushqimeve në vijim. Për herë të parë më 2024 Eurostat përllogariti se çmimet mesatare të Ushqimeve në Shqipëri janë më të larta sa mesatarja e vendeve të BE-së.
INSTAT sqaroi se e llogarit indeksin e Çmimeve të Prodhimit në Bujqësi nga Anketa Mujore për Produktet Bujqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Mbledhja e të dhënave kryhet pranë fermave. tregjeve të gjësë së gjallë, tregjeve të shumicës dhe vende të tjera ku prodhimet bujqësore mund të grumbullohen.
Informacioni merret nga INSTAT vetëm për çmimet në nivel ferme për produktet vendase duke përjashtuar taksat. Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të produkteve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Për prodhimet bimore. çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë industriale, bimë foragjere, perime, patate dhe drufrutorë.
Për prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për mishin peshë e gjallë dhe prodhimet blegtorale. Çmimet e mishit peshë e gjallë grumbullohen për katër kategori kryesore të kafshëve gjedhi, të imta, derra dhe shpendë, sqaron INSTAT. Për llogaritjen e indeksit të çmimeve të produkteve bujqësore përdoret një skemë e mire- përcaktuar peshash bazuar kjo në metodologjinë ndërkombëtare./ Monitor