Telefonatë kërcënuese dhe alarm për bombë në Parlamentin e Kosovës, Policia largon deputetët dhe mediat nga ndërtesa

0

Policia e Kosovës ka urdhëruar të gjithë deputetët, mediat dhe të pranishmit e tjerë në ndërtesën e Kuvendit të largohen, në prag të vazhdimit të radhës të seancës konstituive.

Policia nuk ka folur ende në lidhje me evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit të Kosovës.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-së, Abelard Tahiri, ka dyshime për një kërcënim dhe vendosjen e një bombe.

Tahiri deklaroi se u është kërkuar nga autoritetet që të largohen menjëherë nga objekti.

Deputeti Glauk Konjufca ka folur para gazetarëve në oborrin e Kuvendit të Kosovës teksa është larguar pas urdhrit të policisë.

Konjufca ka thënë se në Kuvendin e Kosovës është bërë një kërcënim nëpërmjet telefoni duke thënë se policia do të tregojë më shumë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku u raportua për një kërcënim me bombë. Duke folur para mediave ajo ka kërkuar nga organet e sigurisë që ta hetojnë rastin dhe ta identifikojnë personin përgjegjës. Ajo ka thënë se hetimi dhe zbulimi i burimit të telefonatës është përgjegjësi e Policisë së Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është larguar nga godiana e Kuvendit pasi Policia ka kërkuar nga gjithë ta lirojnë objektin pas një kërcënimi me telefon dhe një alarmi për bombë.

Mësohet se Kurti nuk ka folur për mediat derisa është larguar në drejtim të godinës qeveritare. Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka folur para mediave pasi Kuvendi i Kosovës u njoftua për një kërcënim me telefon, pak para nisjes së seancës së 42-të konstituive.Ai ka deklaruar se nuk i është dukur serioze situata.Pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejt të Policisë së Kosovës kanë mbërritur tashmë në afërsi të objekteve të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.Mësohet se ata janë parë duke diskutuar edhe me personat përgjegjës për sigurinë.