Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian për miratimin e rezolutës mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023–2024.
Në një postim zyrtar në platformat X dhe Facebook, Presidenti Begaj e ka cilësuar këtë rezolutë si një sinjal të qartë mbështetjeje për rrugën e reformave që Shqipëria ka ndërmarrë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Konfirmimi dhe mbështetja e Parlamentit Evropian i jep Shqipërisë me rezolutën e fundit energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shkruan Presidenti.
Kreu i shtetit theksoi se kjo mirënjohje duhet të përkthehet në punë konkrete dhe në një frymë bashkëpunimi parlamentar për zbatimin e rekomandimeve të rezolutës:
“Mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar në të gjitha drejtimet dhe për çdo aspekt të rezolutës.”
Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian reflekton progresin e bërë nga Shqipëria në disa fusha kyçe, duke shënuar një hap tjetër në procesin e integrimit evropian të vendit.