Tjetër kallëzim për gjyqtaren me shumë mbiemra/ PD: Nesër depozitojmë kallëzim penal shtesë në SPAK për Irena Gjoka

0

TIRANË- Partia Demokratike do të depozitojë kallëzimin penal shtesë në SPAK për gjyqtaren Irena Gjoka. Mësohet se nesër në orën 11.00, Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partisë Demokratike, Adriana Kalaja do të paraqitet në SPAK për një kallëzim të ri shtesë për gjyqtaren me shumë mbiemra.

Me anë të një reagimi në Facebook, Kalaja paralajmëron se do të depozitojë në SPAK, kallëzimin penal shtesë për gjyqtaren me shumë mbiemra lidhur me falsifikimin që ka bërë gjatë procesit të vettingut. Më tej Kalaja thekson se kallëzimi shtesë, do i përcillet Ambasadës së SHBA akredituar në Shqipëri, si dhe Senatit e Kongresit Amerikan, si e vetmja formë për rikthimin e Shtetit Ligjor të së Drejtës në vendin tonë.

NJOFTIM:

Nesër më datë 22 shtator, ora 11.00, me cilësinë e Kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit pranë Partisë Demokratike, do paraqitem në SPAK, ku do depozitoj kallëzimin penal shtesë, në ngarkim të Irenës me shumë mbiemra, lidhur me falsifikimin që ka bërë gjatë procesit të vettingut dhe që “rastësisht”, nuk është kapur nga komisionerët e emëruar aty nga Rama e shpura e tij.

Siç e shihni, kontrata e falsifikuar i përket vitit 1996, ku për të justifikuar 80 milion lekë me burim jo të ligjshëm, janë marë si referencë nene të Kodit Civil 801–825, nene të cilat i korrespondojnë Kodit Civil të sotëm, porse Kodi Civil që i korrespondonte kësaj kontrate kishte gjithsej 198 nene.

Për këtë dhe të tjera, ftoj të gjithë mediat që vijojnë t’i shërbejnë interesit publik, të raportojnë këtë lajm shumë të rëndësishëm. Gjithashtu, Ju bëj me dije se ky kallëzim shtesë, do i përcillet Ambasadës së SHBA akredituar në Shqipëri si dhe Senatit e Kongresit Amerikan. Deri në fund për rikthimin e Shtetit Ligjor të së Drejtës.