Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Strazimiri gjatë fjalës së tij në Kuvend ka akuzuar mazhorancën për manipulim të deputeteve të reja të kahut të tyre politik.
Strazimiri denoncoi praktikën e përsëritur, ku sipas tij, deputetet e reja të mazhorancës marrin të njëjtin tekst për të lexuar në foltoren e Kuvendit, duke mos pasur as njohuritë bazë për rregulloren, Kushtetutën apo të drejtat që u takojnë deputetëve.
“Ndaleni këtë abuzim që po bëni me deputetet e reja në këtë sallë që i çoni të njëjtin tekst që të flasin këtu, të cilat sado të përpiqen nuk e mbulojnë dot zullumin që po bëni. Keni parasysh që te ajo akademia politike duhet ti kishit shpjeguar se çfarë është rregullorja, kushtetuta, të drejtat e pakundërshtueshme të një deputeti”,tha deputetin duke i kthyer kështu dhe një përgjigje deputetes socialiste, Sara Mile, e cila në fjalën e saj para Strazimirit tha se prej vitesh Kuvendin e mban mend të tillë dhe kjo për shkak të sjelljes së Partisë Demokratike.
Për t’iu përgjigjur, deputeti theksoi se ky Kuvend nuk ka qenë gjithmonë i tillë dhe solli në vëmendje ish-kryetarin e Kuvendit, Namik Dokle, i cili sipas tij dha dorëheqjen në vitin 2002 pasi një ligj i miratuar u shpall antikushtetues, një akt që Strazimiri e cilësoi si shembull të përgjegjshmërisë shtetërore.
Ai i bëri thirrje kolegëve të rinj të mazhorancës që të frymëzohen nga shembujt e përgjegjshmërisë politike dhe jo nga mesazhet që, sipas tij, u vijnë përmes telefonave për të ndjekur linjën e partisë.
Pjesë nga fjala e Genc Strazimirit:
Ndaleni këtë abuzim që po bëni me deputetet e reja në këtë sallë që i çoni të njëjtin tekst që të flasin këtu, të cilat sado të përpiqen nuk e mbulojnë dot zullumin që po bëni. Keni parasysh që te ajo akademia politike duhet ti kishit shpjeguar se çfarë është rregullorja, kushtetuta, të drejtat e pakundërshtueshme të një deputeti.
Nuk është e vërtetë që ky Kuvend ka qenë gjithmonë kështu. Ky Kuvend ka pasur burra shteti. i ka pas dhe në këtë anë. Nga e cila duhet të marrësh ti shembull Niko. Ka pasur një kryetar Kuvendi këtu që ka dhënë dorëheqjen pa ja kërkuar njeri vetëm se një ligj që kaloi këtu në 2002 u quajt antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, emri i tij është Namik Dokle dhe i përket
kësaj ane të parlamentit. Në atë sall më dhemb, por do të jetë gjithmonë përgjegjshmërinë shtetare mbi këtë rregullore dhe Kushtetutë e ka treguar ai burrë me dorëheqje. Ata janë shembuj që duhet tju frymëzojnë dhe jo sms që ju vijnë, këshillë e imja.





