Sanae Takaichi, kryeministrja e parë femër e Japonisë?

0

Partia konservatore në pushtet në Japoni ka zgjedhur Sanae Takaichi si lidere të re, duke e pozicionuar 64-vjeçaren për t’u bërë kryeministrja e parë femër e vendit. Takaichi është ndër kandidatët më konservatorë, e orientuar nga krahu i djathtë i partisë në pushtet. Ish-ministre qeverie, ish-prezantuese televizive dhe bateriste e apasionuar e muzikës heavy metal, ajo është një nga figurat më të njohura të politikës japoneze dhe njëkohësisht një figurë kontroverse.

Ajo përballet me shumë sfida, përfshirë ekonominë e ngadaltë dhe familjet që vuajnë nga inflacioni i pandalshëm dhe pagat e ngrira. Gjithashtu, do t’i duhet të menaxhojë marrëdhëniet e vështira SHBA-Japoni dhe të zbatojë marrëveshjen për tarifat me administratën Trump, të arritur nga qeveria e mëparshme. Nëse konfirmohet si kryeministre, një nga sfidat kryesore të Takaichi do të jetë bashkimi i partisë pas disa viteve të trazuara, të shoqëruara me skandale dhe konflikte të brendshme.

Muajin e kaluar, kryeministri Shigeru Ishiba, mandati i të cilit zgjati vetëm pak më shumë se një vit, njoftoi dorëheqjen pas një sërë humbjesh zgjedhore që bënë që koalicioni qeverisës i Partisë Liberal Demokratike (LDP) të humbiste shumicën në të dy dhomat e parlamentit.

Prof. Jeff Kingston, drejtor i Studimeve Aziatike në Universitetin Temple në Tokio, i tha BBC-së se Takaichi ka pak gjasa të ketë “shumë sukses në shërimin e përçarjes së brendshme të partisë”.

Takaichi ka qenë prej kohësh një admiruese e kryeministres së parë femër të Britanisë, Margaret Thatcher. Ajo tani është më pranë se kurrë për të realizuar ambicien e saj si “Zonja e Hekurt”. Por shumë gra votuese nuk e shohin atë si një avokate të progresit.

“Ajo e quan veten Margaret Thatcher e Japonisë. Në aspektin e disiplinës fiskale, ajo nuk është aspak si Thatcher. Nuk mendoj se ka bërë shumë për fuqizimin e grave”, tha Prof. Kingston.

Takaichi është një konservatore e vendosur, e cila prej kohësh ka kundërshtuar legjislacionin që do t’u lejonte grave të mbanin mbiemrin e vajzërisë pas martesës, duke thënë se kjo bie ndesh me traditën. Ajo është gjithashtu kundër martesave të së njëjtës gjini.

Takaichi është zotuar të rikthejë vizionin e tij ekonomik, të njohur si Abenomics – që përfshin shpenzime të larta fiskale dhe hua me interesa të ulëta.

Veterania e LDP-së është e ashpër në çështjet e sigurisë dhe synon të rishikojë kushtetutën pacifiste të Japonisë.

Ajo është gjithashtu një vizitore e rregullt e faltoreve kontroverse Yasukuni, ku përkujtohen të rënët e luftës së Japonisë, përfshirë edhe disa kriminelë lufte të dënuar.

Ajo ka gjasa të konfirmohet nga parlamenti, megjithëse jo automatikisht si paraardhësit e saj, pasi partia në pushtet është tani në një pozitë shumë më të dobët, duke humbur shumicën në të dy dhomat.