Zyrtarizohet kandidati i PS për Bashkinë e Cërrikut, Florenc Doka. PD: Do garojmë me një kandidat të denjë

0

Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidatin e saj për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në Bashkinë e Cërrikut. Florenc Doka, aktualisht kryetar i komanduar i bashkisë, do të jetë përfaqësuesi i PS në këtë garë elektorale.

Në anën tjetër, Partia Demokratike pritet të mblidhet sot me strukturat e saj lokale për të zyrtarizuar kandidatin që do të garojë për drejtimin e Cërrikut. Burime nga kjo forcë politike theksojnë se PD “do të vijë me një kandidaturë të denjë dhe përfaqësuese për qytetarët e Cërrikut.”

Gjithashtu, nisma “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka zyrtarizuar kandidaturën e Eligert Himës, i diplomuar në fushën e Kriminologjisë në Milano.

Bashkia e Cërrikut numëron rreth 38 mijë votues të regjistruar, ndërsa në zgjedhjet vendore të vitit 2023 morën pjesë vetëm 12 mijë qytetarë, në 58 qendra votimi.
Zgjedhjet e pjesshme zhvillohen pas emërimit të ish-kryebashkiakut Andis Salla në postin e Ministrit të Bujqësisë.